Njihuni me Strumicën magjike – pjesa 1, Ujëvara e Koleshinit
Kur rruga ju çon në Strumicë dhe rajonin e Strumicës, nuk duhet të kaloni atypari pa e vizituar Ujëvarën e Koleshinit në fshatin Koleshin. Ky vend është pjesë përbërëse e Komunës Novo Sello dhe është i vendosur rrëzë malit Bellasica, i cili ndodhet 20 kilometra nga qyteti i Strumicës. Ujëvara e Koleshinit është një nga bukuritë më të mëdha natyrore që janë të rëndësishme në këtë rajon, i cili gjithashtu është i njohur edhe për nga shalqiri i Koleshinit dhe produktet bujqësore të cilat me sukses zhvillohen në këtë rajon si një nga më të njohurit në gjithë vendin tonë.
Si mund të mbërrijmë deri tek ky vend magjik?
Pasi që të hyni në fshatin Koleshin dhe ta kaloni qendrën e fshatit, duke lëvizur nëpër rrugën malore prej rreth 1 kilometër, mbërrihet tek një shteg interesant malor i rrethuar nga mali përreth i gërshetuar me një përroskë të vogël. Shtegu shkon paralelisht me përroskën dhe menjëherë pastaj ndërpritet nga një urë e vogël e drurit. Nëse ndaloni tek ura e vogël dhe shikoni ujin malor të pastër si kristali dhe malin në të cilin gjendeni, si vizitor do të ndjeheni se jeni duke u humbur në artin e natyrës dhe do të harroni destinacionin tuaj. Qasja në ujëvarën është shënuar plotësisht dhe e rrethuar me shteg, dhe ndërsa shëtiteni, shoqëruesi më i madh do të jetë ajri i freskët malor, i cili do të Ju freskojë dhe relaksojë. Në fund të këtij shtegu do ta dëgjoni freskinë e zhurmshme të ujëvarës. Ky është zëri magjik i ujit të ftohtë dhe të pastër si kristali, i cili asnjë njeri nuk e le indiferent. Në këtë pjesë të bukurive të malit Bellasica, i cili është i njohur për nga vendet e këtilla dhe ka një bukuri të veçantë, gjithmonë keni një ftesë të hapur për të vizituar përsëri dhe përsëri bukuritë e tij natyrore dhe të kënaqeni në magjinë të cilën mund ta ofrojë natyra.
Ujëvara është në lartësi mbidetare prej 610 metra, dhe është e lartë 19 metra dhe me gjerësi të rënies prej 6 metra, gjë që e bën një nga më të mëdhatë në vendin tonë. Mbi Ujëvarën e Koleshinit, në largësi prej rreth 100 metra, gjenden edhe disa ujëvara më të vogla të shpërndara në seri, të larta prej 2 deri në 4 metra. E krijuar në mes të gurëve të granitit, e vendosur në mes të një pylli panje dhe shkëmbinjve shkëmborë, uji bie teposhtë me tërë pastërtinë dhe bukurinë e tij dhe përfaqëson stolinë më autentike të fshatit.
Si vizitor i këtij vendi të mrekullueshëm malor, për një kënaqësi të plotë do t’ju ndihmojë ura e cila është vendosur për të shikuar drejtpërdrejt Ujëvarën ose ndonjë nga bankat e drurit nën hijet e mëdha të drunjve të dendur. Nëse keni një frymë aventuriere, atëherë për ju nga ana e majtë ka shkallë druri të cilat çojnë në një shteg shtesë, i cili përfundon në kodër dhe ku mund të qëndroni më afër pranë lumit. Vendi është i mrekullueshëm për të gjitha kategoritë e vizitorëve, për shkak se ka në dispozicion edhe disa shtëpi malore për piknik në natyrën e paprekur dhe ato janë të mbushura plot gjatë vikendeve, veçanërisht në periudhën e verës.
Është duke u investuar në vazhdimësi në këtë vend dhe ai po pasurohet me shtigje shtesë të këmbësorëve dhe me rrugë të arritshme për të gjithë vizitorët, të cilët vijnë nga vendi dhe nga jashtë, të cilët vijnë gjatë tërë vitit, për shkak se ujëvarat dhe natyra përreth mahnitin në të gjitha stinët e vitit. Numri i vizitorëve po rritet vazhdimisht. Mesatarisht në ditë e vizitojnë rreth 400 turistë vendas dhe të huaj, dhe gjatë vikendeve ky numër arrin deri në 1000 vizitorë.
Nuk është e mundshme që natyra e paprekur magjike të mos ju detyrojë të bëni një shëtitje, dhe ujëvara Ju ofron freskim të trupit dhe është ushqim i shpirtit. Zërat e shpendëve dhe të botës tjetër të gjallë që ju rrethon në zonën e mrekullueshme malore plotësojnë bukurinë e këtij vendi ku do të gjeni paqen dhe qetësinë e brendshme. Vizita e Ujëvarës së Koleshinit nuk është vetëm një shëtitje e zakonshme. Kjo pjesë e mrekullueshme e vendit tonë është një mundësi e rrallë për të ardhur në kontakt me natyrën e cila do të ngjallë çdo qelizë të trupit tuaj, me ajrin e malit i cili do t’ju përmbushë me një freski të pazakontë, do t’ju bëjë të ndiheni më të gjallë, më natyralë, më energjikë dhe në mënyrë magjike do t’jua hapë të gjitha shqisat në kontakt me natyrën.
Dhe kur në fund të ditës ngadalë do të niseni për në shtëpi, do të jeni si njerëz të rinj, më të freskët. Për shkak se nga një vend i tillë dhe nga natyra e paprekur patjetër se vetëm do të jeni të kënaqur dhe do të mendoni për t’u kthyer përsëri në ndonjë vikend-aventurë të ardhshme në këtë rajon.
Bukurinë e Ujëvarës së Koleshinit mund ta ndjeni vetëm nëse vini këtu! Prandaj bëni një aventurë të paharruar vikendi në rajonin e Strumicës dhe vizitojeni këtë vend. Natyra magjike Ju garanton një përshtypje të paharruar.
Shpresojmë se për një moment keni arritur të kapni përvojën dhe magjinë e ujëvarave të Koleshinit, margaritarin magjik të rajonit të Strumicës në udhëpërshkrimin që e përgatiti kolegu ynë Sllave Vasilev. Nëse dëshironi të mësoni më shumë – Sllaven mund ta gjeni në Qendrën në Strumicë, në Filialin tonë të Tigos me vendndodhje në rr. “Leninova” 31.
Deri në magjinë e ardhshme në Strumicë, mos harroni – për dëshirat e Juaja financiare nuk duhet magji. Këtu është Tigo.